Në Musned, si edhe në vepra të tjera, është shënuar se i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., ka thënë: “Njeriu nuk ka mbushur asnjëherë enë më të keqe sesa lukthin e vet. Për këtë arsye është e mjaftueshme që bijtë e Ademit ta shuajnë urinë me disa kafshata sa për ta kthyer forcën. Nëse duhet ngrënë për t’u ngopur, atëherë duhet rezervuar një të tretën e lukthit për ushqim, një të tretën për ujë dhe një të tretën për frymëmarrje normale”.6
Ekzistojnë dy lloj sëmundjesh: e zemrës dhe sëmundja fizike, e cila është pasojë e hyrjes së substancës, veprimi i së cilës dëmton funksionet natyrore dhe ekuilibrin e trupit, gjë që është një lloj i sëmundjes së përgjithshme që godet shumicën e njerëzve. Kjo lloj sëmundje shkaktohet kryesisht: me ushqim të tepërt, ngrënia e ushqimit tjetër para se të ketë përfunduar tretja e ushqimit të mëparshëm, ngrënia e ushqimit që ka përbërës deficitar; ngrënia e ushqimit që tretet ngadalë, përzierja e disa lloje ushqimesh të kundërta; të ngrënit e ëmbëlsirave që përgatiten për të njëjtën shujtë. Kur trupi mësohet me këtë dietë, ai do të trashëgojë sëmundje të ndryshme. Disa prej tyre mund të tejkalohen më shpejt, e disa më ngadalë. Prandaj themi se maturia është rruga e shëndetit të mirë, ndërsa trupi ka dobi nga maturia dhe e zbërthen gjellën më shumë se që mund ta bëjë kur njeriu fut shumë lloje ushqimesh dhe shtojca të ndryshme në lukth.
Trupi mund të mësohet me tri shkallë të kënaqjes me ushqim:
ushqimi i nevojshëm,
ushqimi i mjaftueshëm,
dhe ushqimi plotësues.
I Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., lidhur me dietën e nevojshme “të mjaftueshme” ka thënë: “…disa kafshata sa për të rimarrë fuqi” dhe ky trajtim mbron trupin dhe nuk do të lejojë të dobësohet ose të humbas fuqinë. Nëse dikush është vënë në sprovë dhe është i detyruar ta tejkalojë atë shkallë elementare të mbrojtjes shëndetësore, atëherë duhet: “…të rezervojë një të tretën për ushqim, një të tretën për ujë dhe një të tretën për frymëmarrje normale”, dhe kjo është dieta më e mirë nga të gjitha dietat. Në të vërtetë kur njeriu e ka mbushur lukthin me ushqime, ai nuk është në gjendje të pranojë ujin, ndërsa kur ushqimi dhe uji e tejkalojnë shkallën e përshkruar (këshilluar), mund të vuajë nga çrregullimi i mushkërive dhe e gjithë kjo paraqitet me stres dhe rraskapitje, ndërsa mushkëritë nuk janë në gjendje ta përcjellin lehtësisht gjakun e oksiduar. Njeriu do të ndiejë, në mes të tjerash, edhe vështirësi në trup, në zemër, dhe shpirti do të ndjehet i rraskapitur dhe i plogështë, ndërsa gjymtyrët nuk do të jenë në gjendje të kryejnë detyrat themelore fetare. Një pozitë e tillë do të përshpejtojë disa epshe të shpirtit. Pra, lukthi i stërmbushur dëmton trupin, zemrën dhe shpirtin. Ky rast është i dhembshëm kur bëhet zakon, diçka e rëndomtë, qoftë edhe nëse përkohësisht njeriu e kënaq veten me ushqime të shumta e kalorike.
Në një hadith është thënë që Ebu Hurejre (All-llahu qoftë i kënaqur me të!) kishte pirë qumësht derisa ishte ngopur, nga një enë të cilën ia kishte ofruar i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., pastaj kishte bërtitur: “Betohem në Atë i cili të dërgojë me mesazhin e vërtetë që nuk mund të pijë më asnjë pikë!”7 Tradita rrëfen se kohë pas kohe edhe ashabët e tjerë kanë ngrënë derisa u ka pëlcitur veshi, prandaj, siç kemi thënë më herët, ushqimi i tepërt do të shkaktojë plogështimin dhe rraskapitjen e trupit, qoftë vetëm duke i përshpejtuar ato. Sidoqoftë, shëndeti dhe fuqia e trupit vijnë nga ushqimi i cili përthithet (resorbohet) e jo nga sasia e ngrënë dhe, duke qenë se qenia njerëzore është e përbërë nga tri elemente: dheu, uji dhe ajri, i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., e ka ndarë në përpjesëtime të barabarta dietën e tij në këto tri kategori.
Çështja e strukturës së trupit të njeriut dhe a është zjarri njëri prej elementeve?
A është zjarri njëri prej elementeve strukturore të trupit të njeriut? Tani, nëse dikush pyet për pjesëmarrjen e zjarrit, i cili nuk ndodhet në pjesët e ndara të porosive të mësipërme të të Dërguarit, përgjigjja e jonë është që të qartësojmë se disa mjekë kanë thënë që zjarri është njëri prej elementeve, mirëpo disa mjekë të ditur dhe shkencëtarë e kanë mohuar këtë teori dhe e kanë argumentuar me dy fakte: zjarri është prodhuar nga eteri (mbitokësor) e më pastaj është lëshuar dhe përzier me ujin dhe dheun, ose zjarri është prodhuar nga elementet e tjera pa asnjë trup tjetër.
Teoria e parë është absurde për dy shkaqe: i pari është se zjarri është element i ndritshëm, dhe para së gjithash materie hyrëse, prandaj materia dalëse implikon ekzistimin e kuazielementit i cili vepron si neutralizues dhe e detyron zjarrin të ketë karakteristika rënëse, gjë që është e papranueshme. Nga ana tjetër, në urdhrin që zjarri të zbresë poshtë në tokë, ai ka qenë i detyruar të kalojë nëpër atmosferë jashtëzakonisht të ftohtë (zamharir) dhe ne mund të vërejmë lehtë në ndërhyrjen tonë të drejtpërdrejtë se edhe zjarri tepër i madh mund të fiket me një sasi të vogël lëngu. Prej këtej, edhe sikur pjesë të vogla të zjarrit të kalonin papritmas vetëm për një minutë nëpër këtë atmosferë të ngrirë, ato me siguri do të shuheshin.
Në disa kaptina të Kur’anit, All-llahu i gjithëfuqishëm ka njoftuar për krijimin e qenies njerëzore. Ai e ka përshkruar këtë krijim në të cilin thotë se është krijuar prej ujit, ndërsa në vendet (versetet) e tjera Ai e ka përshkruar se krijimi i njeriut është bërë prej dheut, ose nga kombinimi i ujit dhe dheut, të quajtur argjilë (tin), e cila është lënë në mjedis të hapur dhe është lënë të thahet si një shtambë (fahhar) për shkak të përzierjes me ajër dhe me nxehtësinë e diellit. Në të vërtetë në asnjë kaptinë (sure) të Kur’anit All-llahu i madhërishëm nuk ka thënë se njeriun e ka krijuar nga zjarri, por elementin e zjarrit ia ka përshkruar një lloji tjetër të krijesave, të quajtur exhin. Në mesin e tyre janë Iblisi, Shejtani i mallkuar.
Në Sahihun e Muslimit është shënuar që i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., ka thënë: “Meleqtë janë të krijuar nga drita (nuri), dhe nga zjarri flakërues, ndërsa Ademi është krijuar në formën e cila u është dhënë edhe juve”.8 Kjo paraqitje (hadith) e Pejgamberit është e qartë edhe sa i përket elementeve nga të cilët është krijuar Ademi, ndërsa në asnjë pjesë të Kur’anit Zoti dhe Krijuesi ynë nuk e ka përmendur përzierjen e zjarrit në strukturën e trupit të Ademit. Sidoqoftë, në përgjigje të këtyre hipotezave, të gjithë pajtohemi që trupi i njeriut me të vërtetë ka temperaturë e cila është krijuar nga faktorë të llojllojshëm e jo nga zjarri. Prandaj shumica e shkencëtarëve sot pajtohen me teorinë e ndryshimeve të lëndëve të njëjta. Ne, për këtë, nxjerrim përfundimin në pajtim me thënien e Kur’anit të shenjtë, ku All-llahu i gjithëfuqishëm thotë:
“Ne i krijuam ata prej një balte që ngjitet”. (Es Safatë, 11) Ky verset tregon se elementet primordiale mbeten të pandryshueshme. Vërtet, All-llahu është Ai i cili furnizon me njohuri dhe me sukses.
MJEKËSIA E PEJGAMBERIT MUHAMMED nga Ibn Kajimi
0 comments:
Post a Comment